Delegacioni përbëhej nga përfaqësues të Asociacionit të Biznes Engjujve nga Turqia, me në krye kryetarin e saj, z.Bajbar Altuntash, Drejtori i Berzës së letrave me vlerë të Stambollit, Përfaqësues të Thesarit Shtetëror të shtetit Turk, si dhe përfaqësues të tjerë të rëndësishëm nga fusha e biznesit dhe ndërmarrësisë. Qëllimi i vizitës ishte që mysafirët të njihen nga afër me potencialin ekonomik dhe shoqëror në komunën e Tetovës, mundësinë e investimit në biznese të reja (start-up businesses), si dhe të shofin nga afër kushtet infrastrukturore për investim që ofrohen në Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë.
Qëllimi i këtij Memorandumi ishte formimi i partneritetit mes Asosacionit të Biznes Engjujve të Turqisë dhe Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, në kontekst të zgjerimit të bashkëpunimit mes tyre dhe biznes komunitetit në Maqedoni, të përfaqësuar nga OEMVP.
Të dy palët u dakorduan që të përkrahin zhvillimin e biznesit në shtetet e tyre dhe të nxisin investimet mes vendeve. Në këtë fryme, palët ranë dakord që të shkëmbejnë informata mes veti lidhur me mundësitë për biznes që janë në interes të anëtarësisë. Kryetari i OEMVP-së, z.Nebi Hoxha, theksoi se ky memorandum bashkëpunimi, do të konkretizohet në të ardhmen dhe se OEMVP do ju qëndrojë në dispozicion me informata dhe asistencë rreth mundësive për investim dhe zgjerim në shtetin tonë.
z.Nebi Hoxha, në sajë të kompetencave të tij si kryetar i OEMVP-së, u zotua se do të angazhohet maksimalisht në përmbushjen e të drejtave dhe obligimeve që dalin nga nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit me TBAA, që nënkupton rritje ekonomike, investim në ide kreative dhe vende të reja pune.




