Mblidhen prodhuesit shqiptarë në Forumin Ekonomik në Pejë

21 Prill 2017 – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në bashkëpunim me Klubin e prodhuesve të Kosovës, Bashkimin e Prodhuesve shqiptarë dhe Rrjetin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare, sot në Pejë organizuan forumin ekonomik të prodhuesve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia për promovimin e ndërmarrësisë, prodhimit dhe produkteve të trojeve shqiptare dhe AlbExpo 2017. Qëllimi kryesor i ketij Forumi, përveç rritjes se afarizmit është që të punohet në përpjekjet për të avancuar pozitën e prodhuesve shqiptarë nga vendi, rajoni dhe diaspora.

Në hapje të këtij forumi kryetari i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë Nagip Fejzi theksoi rëndësinë e industrisë prodhuese dhe sigurimin e tregut për prodhuesit.

Kryetari i OEMVP-së Nebi Hoxha tha se vendet tona janë destinacione relativisht të reja për investitorët e huaj, por përkundër kësaj ato ofrojnë mundësi për investime dhe një klimë gjithnjë e më të favorshme të biznesit me mundësi të mëdha për investime për tërheqjen e kapitalit të huaj, një klimë biznesi që gjithnjë e më shumë po përmirësohet  në të gjithë rajonin.

Fokusi i këtij Forumi ishte promovimi i tregtisë së lirë dhe largimi i barrierave tarifore dhe jo-tarifore. Përfaqësues të sektorëve të ndryshëm të biznesit nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, kryesisht prodhues, diskutuan rreth mundësive për promovim ndërkombëtar, sfidat aktuale me të cilat përballen prodhuesit dhe rolin e diasporës në këtë drejtim.

Përfaqësues të bizneseve që ishin pjesëmarrës në Forumin Ekonomik vizituan edhe birrarinë e Pejës, ku janë njoftuar me mënyrën e funksionimit të kësaj kompanie dhe kushtet me të cilat punon.Përfaqësuesit e kësaj birrarie, e cila disponon kushte shumë të volitshme për prodhim, treguan mysafirëve ecurinë e krijimit të produkteve të saj, deri në finalizim e tyre, si dhe për shtrirjen dhe distribuimin e saj.