MAQEDONIA VAZHDON TË LAJË BORXHET ME BORXHE (VIDEO)
Për nesër, Qeveria ka paraparë të marrë një borxh të ri të brendshëm në vlerë prej rreth 89 milionë eurove, ndërsa të mërkurën, është paraparë shlyerja e një borxhi, gjithashtu në vlerë prej rreth 89 milionë eurove. Ekspertët thonë se nuk duhet të befasohemi me trendin e marrjes së huave të reja për kundërpeshë të borxheve dhe obligimeve të cilat na vijnë, sepse borxhet e tilla janë krijuar në të kaluarën. Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Fatmir Bytyqi, thotë se brengosës është transparenca e institucioneve, dhe fakti që borxhi merret nga një Qeveri teknike.
“Ne nuk jemi të bindur se marrja e borxheve të reja shkon 100 për qind në kthimin e huave të vjetra ose servisimin e detyrimeve, por ajo që neve na brengos është se merren para të reja për harxhime të reja të cilat siç kemi thënë edhe shumë herë, janë shpenzime joproduktive ose janë shpenzime të cilat gjithsesi do të duhej të mbuloheshin nga të ardhura tjera e jo nga huatë e reja. Neve na brengos ky trend dhe kjo sjellje e pamoralshme e politikanëve dhe Qeverisë së tanishme teknike”, ka deklaruar për TV SHENJA, Fatmir Bytyqi, drejtor ekzekutiv i OEMVP-së.
Përpos kësaj, Bytyqi thotë se këto huamarrje vijnë në kushte jo edhe aq të volitshme ekonomike, pasi parashikimet thonë se në vitin 2017 do të kemi stagnim, apo të paktën trend të zvogëluar të rritjes ekonomike.
“Ekonomia e tanishme vështirë se mund të mbulojë nevojat dhe trendin e rritjes së huamarrjes, dhe këto janë indikatorë të cilët gjithsesi një qeveri e cila do të kishte në vete pjesën e moralit, nëse ka të tillë në politikë, ose do të ishte e logjikshme, do t’i merrte parasysh si të tilla dhe do ta shihte politikën tjetërsoj”, shtoi më tej ai.
Sipas paralajmërimeve, nesër pritet që në ankand të nxirren letra me vlerë me afate të ndryshme kohore, njëvjeçare, dyvjeçare dhe pesëmbëdhjetëvjeçare. Qëllimi është që të grumbullohen 88.8 milionë euro.
MAQEDONIA VAZHDON TË LAJË BORXHET ME BORXHEDrejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Fatmir Bytyqi
Posted by Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore on Tuesday, March 21, 2017