Home / Lajmet / Lajmet e fundit / Kuvendi i VI-të i OEMVP-së

Kuvendi i VI-të i OEMVP-së

08 Tetor 2016 – Sot Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore mbajti Kuvendin e VI-të të saj. Në këtë Kuvend pune  përveç çështjeve operative  të cilat ishin në rendin e ditës, si më të rëndësishme veçojmë Strategjinë 2016-2019, ndryshimet Statutare dhe zgjerimin e Këshillit Drejtues.

Kryetari i Odës, Nebi Hoxha përshëndeti të pranishmit dhe shprehu falenderim dhe mirënjohje për të gjithë anëtarët që gjatë 10 viteve kanë qenë me Odën. Kryetari i Kuvendit, Kasam Zendeli  theksoi që përkushtimi i Odës si komunitet biznesi ka të bëj me përgjegjësinë e madhe që Oda ka, por  edhe me autoritetin, aftësinë dhe vullnetin e mirë që të bëjë ndryshime të rëndësishme drejt përmirësimit të klimës së biznesit në vend.

Pas miratimit të Raportit Vjetor dhe Strategjisë 2016-2019, me ndryshimet e fundit të Statutit, u vendos që edhe Këshilli Drejtues të rritet për 3 anëtarë të rinj, nga Grupacioni i Grave Afariste. Në këtë Kuvend u zgjodh edhe Kryetari i nderit, z. Xhemail Dauti.

Ideja për ri-brendim të Odës është aktualizuar disa herë në OEMVP mirëpo nuk është ngritur si çështje në formë të konceptit që të merrej ndonjë vendim. Në këtë Kuvend ky koncept  u diskutua duke parë përparësitë dhe mangësitë e  ri-brendimit. Kuvendi si organ më i lartë i Odës, morri qëndrim mbi këtë koncept dhe në këtë fazë nuk e sheh të nevojshëm ri-brendimin.

Në të ndryshme, u diskutua rreth rastit të kompanive të dëmtuara nga vërshimet në Hasanbeg dhe përpjekjeve të vazhdueshme që bën Oda për të arritur një nivel të arsyeshëm të sanimit të dëmeve.

 

2