03 shkurt 2025, Shkup – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore zhvilloi takim me Ambasadorin e Sllovenisë në Maqedoninë e Veriut, Shkëlqesia e tij z. Gregor Presker, me fokus në thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Në takim u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit me qëllim të përforcimit të marrëdhënieve tregtare dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset nga të dyja vendet. Kryetari Qyra theksoi problematikën e fuqisë punëtore në RMV, duke përfshirë edhe iniciativat e nisura nga OEMVP për reforma që do ndihmojnë në mbajtjen e fuqisë punëtore në vend, duke rritur pagën minimale dhe duke ulur kontributet, por jo vetëm.
Shkëlqesia e tij, z. Presker theksoi se edhe Sllovenia po përballet me problemin e fuqisë punëtore, por për shkak të rritjes së aktivitetit ekonomik në vend. Gjithashtu, u shpreh se qëndrojnë të gatshëm për të mundësuar bashkëpunim të frytshëm me Odën Ekonomike të Sllovenisë, për të krijuar ura të reja lidhëse mes bizneseve të të dyja vendeve.
Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia ndajnë shumë ngjashmëri demografike si vende dhe kanë një histori të gjatë të bashkëpunimit ekonomik. Sllovenia është një nga partnerët kyç tregtar të Maqedonisë së Veriut brenda Bashkimit Evropian, me volum të shkëmbimit tregtar prej 277 milionë euro në periudhën janar-nëntor të vitit 2024.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore vazhdon të jetë faktor i rëndësishëm në përfaqësimin e interesave të bizneseve dhe promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.






