Kryetari Qyra në Pragë – Fton investimet Çeke në RMV dhe kërkon mbështetje për Eurointegrime

Me datë 21.09.2023, Pragë Çeki – Kryetari i OEMVP, z. Qyra, ishte i folës në Konferencën e biznesit të organizuar nga Invest North Macedonia në Pragë me temë “Mundësitë e Investimit dhe Procesi i granteve WBIF.”

Në fjalën e tij, Kryetari Qyra u fokusua mbi Potencialin afarist dhe tregtar të tregut të Maqedonisë së Veriut dhe perspektivat ekonomike të rajonit Veri-Perëndimor.
“Si kryetar i Odës ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, më jepet mundësia të shpreh qëndrimin tonë dhe mbështetjen ndaj investimeve të huaja dhe bashkëpunimit, me theks të veçantë në investimet nga Bashkimi Evropian dhe Republika Çeke, një partner me përvojë që do të na ndihmojë të realizojmë qëllimet tona, përfshirë edhe procesin e anëtarësimit në BE” – theksoi Qyra.

Ndër tjerash, z. Qyra theksoi që shkëmbimi tregtar në mes RMV dhe Republikës Çeke është rritur dukshëm në katër vitet e fundit dhe që OEMVP luan rol të rëndësishëm në tërheqjen e investimeve të mëdha në vendin tonë, veçanërisht në sektorë si bujqësia, ndërtimi dhe turizmi malor, si dhe në fusha të tjera të turizmit duke theksuar potencialin që ofron Struga dhe Ohri si atraksione më të mëdha turistike në vend.
Kryetari Qyra bëri me dije që OEMVP është e gatshme të mbështesë investitorët çekë me qëllim që të ritet edhe më tepër bashkëpunimin në mes dy vendeve dhe të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit.