Kryetari Kuçi pjesë aktive e panelit ekonomik në Kongresin tematik të BDI-së
Në kuadër të ditës së dytë të Kongresit Tematik të organizuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, u fol për çështjet ekonomike të vendit, të cilat ashtu si çështjet e eurointegrimeve janë në fokus të prioriteteve që ka Maqedonia si shtet, që synon t’i bashkohet familjes të madhe të Bashkimit Europian.
Në kuadër të Panelit Ekonomik, pjesë aktive e tij ishte Kryetari i OEMVP-së Menderes Kuçi, Antoni Peshev nga Oda Ekonomike e Maqedonisë, Danella Arsovska nga Lidhja e Odave Ekonomike, Erhard Busek, kordinator i posaçëm i “Paktit të stabilitetit për Evropën jug-lindore”, si dhe ministra të BDI-së, në krye të dikasterëve shtetëror.
Panelin e hapi zëvendës Kryeministri për Eurointegrime, Fatmir Besimi , i cili ndër të tjera falenderoi Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore për kontributin e dhënë në këto dhjetë vite ekzistimi, si dhe kontributin e dhënë për organizimin e këtij Paneli Ekonomik.
Nga ana tjetër Kryetari i OEMVP-së, Menderes Kuçi, theksoi rolin e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore në vënien e standardeve të reja në politikëbërjen që ka për qëllim rritjen ekonomike dhe mirqenien.
Ai shprehu mirënjohje ndaj BDI-së, e cila harmonizoi platformën e saj ekonomike me atë të OEMVP-së dhe së bashku punojnë për të rritur mirqenien ekonomike në vend.
Zëri i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore është unik dhe i ka paraprirë gjithmonë raporteve të Komisionit Europian, duke dalur gjithmonë me mendime të përbashkëta, se vendi duhet të punojë më shumë në qëndrueshmërinë e sistemit juridik, në transparencën e harxhimit të mjeteve publike, në ngritjen e kapaciteteve të kompanive, në mënyrë që ata të jenë më konkurrente pasi të anëtarësohemi në BE, e kështu me rradhë.
Papunësia në vendin tonë arrin të jetë tre herë më e lartë nga vendet e Bashkimit Europian, në drejtimin e së cilës duhet punuar shumë, që të mos mbetemi aq prapa, theksoi Kuçi.
Ai poashtu theksoi se korniza e vendosur prej 20 %, duhet të rishqyrtohet, sepse ka ardhur koha që vendi të punojë sipas prioriteteve e jo sipas politikave të caktuara dhe ketu kërkoi vëmendje të veçantë t’i jepet rajonit Veri-Perëndimor, i cili është kryesisht i banuar nga shqiptarë, si rajon me më pak investime dhe mjete të ndara nga buxheti qëndror.
Ky Kongres tematik, u cilësua si mjaft i dobishëm dhe i gjetur, sidomos në këtë periudhë turbulente në sferën politike në vend. Me prezencën dhe kontributin e tyre e nderuan Daniel Serwer – ish diplomat amerikan, drejtues i Institutit për Paqe dhe i Qendrës për Marrëdhënie Transatlantike, profesor univerzitar, Peter Feith – ish i dërguar special i Lord Robertson (NATO) për luftën në Maqedoni,Erwan Fouere – ish Ambasador i BE në Shkup, Alexandros Malias – ish Ambasador Grek në Shkup dhe Washington, Nicole Toepperwien – profesoreshë univerzitare nga Zvicra, Wolfgang Grossruck – ish Deputet Austriak, ish Kryesues me Asamblenë Parlamentare të OSBE, kryetar i shoqatës së miqësisë austriako-shqiptare, Enver Hoxhaj – Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Kosovës dhe ish Ministër i Jashtëm i Kosovës dhe të tjerë.
OEMVP, si gjithmonë përkrah organizime të cilat inkurajojnë debatin, hedhin në pah fenomenet e shoqërisë dhe që mund të jenë faktorë për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe më gjërë në vend.
Comments are closed.