Kryesia dhe anëtarësia e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore të pranishëm në “Mëngjesin e drejtorëve”

Kryetari i OEMVP z. Mendi Qyra si pronar i kompanisë TRIM&LUM, së bashku me z. Zelqif Berisha, nënkryetar i OEMVP dhe pronar i Silcapor, znj. Aleksandra Shkëmbi nga kompania Uniqa Life, z. Sami Mustafa, nga kompania Ambrella, z. Bilal Sucubasi nga kompania Halkbank, z. Wolfgang Maier nga kompania EVN, z. Arben Abdurahmani nga kompania Vezë Sharri dhe z. Branko Greganovich nga NLB Banka ishin prezent në Mëngjesin e Drejtorëve në kuadër të Klubit të Bizneseve të Përgjegjshme.
U diskutua rëndësia e lidershipit për qëndrueshmërinë dhe nevoja për të konsoliduar ndikimin e kompanive, duke iu bashkuar Klubit të Bizneseve të Përgjegjshme, si një platformë në të cilën kompanitë do të mund të forcojnë kapacitetet e tyre në lidhje me përgjegjësinë sociale dhe kontributin në komunitet.
Gjatë kësaj ngjarje u shtjelluan tema të cilat kishin të bënin me migrimin apo ikjen e fuqisë punëtore nga vendi, temë diskutimi e hapur nga kryetari i OEMVP, z. Qyra, gjithashtu u diskutua edhe rreth rritjes së ndërgjegjësimit, investimi në arsim cilësor me cka u ofrohet më shumë mundësi të rinjëve, si dhe mbrojtja e mjedisit.
Z. Qyra gjatë fjalimit theksoi se duhet shqyrtuar me seriozitet sfidat që përballon ekonomia jonë, veçanërisht në lidhje me ikjen e fuqisë punëtore. Qëllimi jonë si Odë Ekonomike tash e një vit është të orientojmë diskutimin mbi këtë çështje të rëndësishme. Maqedonia e Veriut momentalisht po përballet me një situatë shqetësuese, numri i të rinjëve që po largohen nga vendi për të gjetur punë në vende të tjera është në rritje, ndërkaq kompanitë tona përballen me mungesë të punëtorëve.
Kompanitë anëtare të Odës dëshmuan se janë të gatshëm për tu bashkuar në iniciativa të tilla, dhe se kompanitë të cilat bartin me vete përgjegjësi shoqërore afariste si dhe praktika të mira filantropike janë motori i cili nxit bizneset drejt suksesit.
Ngjarja është pjesë e projektit të USAID North Macedonia “Partneritete për donacion” e zbatuar nga Konekt në partneritet me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Qendrën Evropiane për të Drejtën Jofitimprurëse, IndiGo dhe AmCham North Macedonia.