Karvani i OEMVP-së në Manastir
10 Maj 2016 – Para bizneseve të Manastirit, sot OEMVP prezantoi aktivitetet, funksionin dhe rolin e Odës, si dhe shërbimet e reja që ofron nga ky vit për anëtarët e saj, siç janë informatorët ligjor dhe ekonomik: Juris, Economicus dhe Dobia.
Bizneset e këtij rajoni kishin mundësinë për ndarjen e mendimeve të tyre, qëndrimeve dhe përvojave personale si dhe problemeve të ndryshme që hasin gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tyre.
Janë shumë sfida e probleme që paraqiten gjatë zhvillimit të një biznesi në Manastir, thonë pronarët e bizneseve në vend, duke shtuar se ambienti afarist në Maqedoni nuk krijon kushte të mira për biznes, dhe të gjitha këto barriera që bizneset kanë, duke mos u shqyrtuar në kohë nga autoritetet kompetente, e bën edhe më të vështirë funksionimin e biznesit. Zhvillimi ekonomik i një vendi varet nga zhvillimi i sektorit privat i cili njëkohësisht do të gjeneronte edhe vende të reja të punës.
Kryetari i OEMVP-së Nebi Hoxha, tha se aty ku mund të gjejmë zgjidhje, ne e kërkojmë. Prandaj jemi këtu sot që të bisedojmë me ata të cilët janë në këtë fushë, vetë bizneset, sepse ato janë zgjedhjet. Mirë është kur ka ide dhe propozime të ndryshme, të cilat na ndihmojnë në përpilimin e planit tonë strategjik, sepse suksesi është gjithmonë i përbashkët.
Ajo që veçuan si problem afaristët e këtij rajoni është migrimi i popullatës dhe fuqisë së re punëtore në shtetet e jashtme apo në qytetet tjera të Maqedonisë, gjë e cila ndikon edhe në stabilitetin e bizneseve të vogla, të cilat veç se e kanë të vështirë funksionimin duke marrë parasysh gjobat e mëdha nga ana e institucioneve shtetërore. Bizneset e vogla dhe ato të rejat, gjatë takimit u informuan edhe mbi mundësitë e ndryshme të shfrytëzimit të fondeve alternative në formë të granteve të pakthyeshme dhe mundësive tjera të financimit.
Pas përfundimit të takimit, përfaqësuesit e OEMVP-së vizituan kompaninë anëtare Pellagonka në Manastir. Ata u njoftuan nga pronari lidhur me procesin e punës që është duke u zhvilluar aktualisht dhe mënyrën e funksionimit të kësaj kompanie.
Takimi i radhës do të mbahet më 12 Maj 2016 (E Enjte) në Dibër në Restoran Venec me fillim në ora 12:00. Janë të ftuara të gjithë përfaqësuesit e bizneseve të këtij rajoni të marrin pjesë në këtë takim.
Comments are closed.