22.10.2021, Shkup – Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në bashkëpunim me Kompaninë për menaxhimin e paketimeve dhe të mbeturinave nga paketimet ALPAK-EKO, sot organizuan infosesion në të cilën u prezantuan Ligji i ri për Menaxhimin e Paketimit dhe të Mbeturinave nga Paketimi dhe Ligji i ri për Menaxhimet e Rrjedhave Shtesë të Mbeturinave, të cilat dhe do të implementohen nga data 01.01.2022.
Risitë mbi ligjet u prezantuan nga znj. Ana Karanfilova Manznevska, përgjegjëse e sektorit për menaxhimin e mbeturinave pranë Ministrisë së mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor dhe z. Fatmir Ejub, drejtor i AlpakEko , ku kompanitë anëtare të Odës patën mundësi të parashtrojnë pyetjet dhe dilemat e tyre rreth ligjieve.
Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore është gjithmonë në funksion të mbrojtjes së interesave të anëtarëve të saj dhe duke qenë se ligjet në fjalë parashohin mjaft obligime për kompanitë, OEMVP i njoftoi anëtarët me risitë e të njëjtave me qëllim që të jenë të përgatitur dhe të respektojnë obligimet që burojnë nga sistemi juridik në vend.







