AKADEMIKA
AKADEMIKA
Historiati

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), si përfaqësuese legjitime e interesave të komunitetit të biznesit, ka për qëllim të bëjë organizimin, avancimin, promovimin dhe mbrojtjen e bizneseve si në kuadër të Republikës së Maqedonisë ashtu edhe jashtë saj, duke u bër ballë sfidave të konkurencës në nivele të ndryshme, qofshin ato lokale apo ndërkombëtare. Duke u bazuar në profesionalizëm, standarde të larta pune, vendosmëri, fleksibilitet, transparencë, qëndrueshmëri  dhe qasje të barabartë, OEMVP ndihmon dukshëm dhe sigurt në afirmimin e bizneseve dhe vetë shoqërisë drejtë vlerave evropiane.

Sa i përket rrugëtimit historik, OEMVP u themelua në Tetovë në vitin 2005. Që në fillimet e saja, përkundër peripecive të ndryshme, arriti të përjetojë suksese të njëpasnjëshme, tregues kryesorë i të cilëve është fakti që arriti të tërheq që në zanafill një numër të konsiderueshëm të kompanive (122). Duke pas parasysh afërsinë fizike me instutucionet shtetërore, në vitin 2007 u shpërngul në Shkup, ku vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite. Për një afat të shkurtërt kohor, numri i kompanive të anëtarësuara sa vinte e shtohej. Paralelisht rriteshin edhe kapacitetet administrative të saj, projektet e fituara dhe të implementuara, si dhe aktivitetet e karaktereve të ndryshme.

Në vitin 2015 rrumbullaksoi plot 10 vite ekzistencë duke vazhduar të përdëftojë veten rrishtazi si një institucion në shërbim të ekonomisë; si faktor i rëndësishëm në përmirësimin e klimës së biznesit; si partner konstruktiv i institucioneve shtetërore të Republikës së Maqedonisë; si partner në dialogun social dhe përfundimisht si nxitës i zhvillimit ekonomik dhe i politikave të mirëfillta makroekonomike.

Gjatë dekadës që lam pas, OEMVP arriti të organizojë rreth 70 seminare, 82 tryeza të rrumbullakëta, disa projekte të finansuara nga Bashkimi Evropian, 120 takime të ndërmjetësimit afarist për anëtarët e vet me partnerë të huaj, prej ku dolën mbi 50 bashkëpunime partneriteti me kompanitë anëtare të OEMVP-së, mbi 800 takime bilaterale dhe punëtori të vlefshme, gjithëpërfshirëse dhe edukative, përmes të cilave janë inkuadruar rreth 3000 biznese aktive, të cilat kanë pasur mundësinë për të marrë informacione bazë drejtpërsëdrejti nga ekspertë të fushave përkatëse, gjë që ndër të tjera ka qenë e pasuar me mbështetjen dhe aplikimin e  praktikave të përgjegjshmërisë sociale korporative nga kompanitë e antarësuara.

Për të qenë edhe më afër bizneseve, OEMVP që nga viti 2012 organizon “Karvanin e Odës”, gjatë të cilit realizohet kontakt i drejtpërdrejtë me bizneset, për të parë nga afër problemet që hasin kompanitë gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tyre. Përveç kësaj, OEMVP-ja është një ndër iniciatorët kryesor të organizimit të manifestimit “Sipërmarrësi i Vitit”, i cili nga viti 2006 e këtej po shpërblen sipërmarrësit më të suksesshëm në shtet. Tash më vite me rradhë, OEMVP-ja tradicionalisht po e zbaton manifestimin “TOP 100”, ku shpallen kompanitë të cilat gjatë vitit kanë përjetuar arritje të mëdha saqë me plot meritë rradhiten në 100 kompanitë më të suksesshme në vend. Ky manifestim rezulton me katallogun e titulluar ashtu si edhe vetë manifestimi.

Disa nga projektet kyçe të OEMVP-së kanë qenë:

  1. Projekti “Mbrojta e markës së produkteve nga bashkëpunimi ndërkufitar” i financuar nga Bashkimi Evropian është realizuar në partneritet me Zyrën shtetërore të Pronësisë Industriale të Republikës së Maqedonisë dhe me Drejtorinë e përgjithshme të patentimit dhe markave të Republikës së Shqipërisë. Qëllimi i përgjithshëm ishte kontributi për ngritjen e konkurencës së bizneseve ndërkufitare nëpërmjet promovimit dhe mbrojtjes së markave dhe patentave në Maqedoni dhe Shqipëri.
  2. Projekti “Ngritja e kapaciteteve të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri Perendimore”, qëllimi i të cilit është promovimi i ndërmarrësisë në vend, nëpërmjet përmirësimit të kapaciteteve.
  3. Projekti “3ES – Arsim, punësim dhe barazi për gratë e bashkësive etnike”, objektivi i përgjithshëm i të cilit është që të lehtësojë integrimin e grave të grupeve etnike pakicë (shqiptare, turke, boshnjake e tjera) në tregun e punës.
  4. Projekti “Fuqizimi i të rinjëve dhe gjenerimi i punësimit”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i implementuar nga OEMVP, Fondacioni SRINT, Instituti PREDA dhe ANTTARAC, synon të promovojë partneritetin mes agjensioneve të ndryshme lokale, qeveritare, institucioneve arsimore, organizatave rinore dhe sektorin privat në të dy anët e kufirit Maqedoni-Shqipëri ashtu që të arrihet kohezion shoqëror te gjenerata e re përmes arsimit dhe punësimit.
  5. Projekti “Diaspora Invest”, i cili është nisur si iniciativë nga Qendra për zhvillimin e rajonit planor të Pollogut dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, në bashkëpunim me Komunat e rajonit të Pollogut, të përkrahur nga Projekti i USAID-it për zgjërimin e bizneseve të vogla dhe GIZ RED, ka për qëllim të bëj informimin dhe nxitjen e disaporës të investojë në rajonin e Pollogut.

Sot OEMVP-ja numëron rreth 1800 kompani të anëtarësuara, të cilat merren me veprimtari të lloj-llojshme dhe frekuentojnë thuajse në të gjitha rajonet e vendit. Gjithsesi, ajo vazhdon të qëndrojë dyerhapur për të gjitha kompanitë tjera të cilat janë të gatshme të përfitojnë nga shërbimet e saja dobisjellëse.