Gruaja në biznes dhe qasje në mjete financiare

Grupacioni i grave afariste, pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, në bashkëpunim me projektin IME – Rritja e mundësive për kyçje në tregun e punës, të Agjencisë Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i implementuar nga Swisscontact dhe partneri lokal PREDA Plus, mbajtën një sesion informativ me temë ”Gruaja në biznes dhe qasje në mjete financiare”. Kryetarja e GGA, znj.Gëzime Fejzi, bëri hapjen e këtij sesioni duke cekur fillimisht misionin kryesor të Grupacionit, gjegjësisht ngirtjen e vetëdijes, krijimin e iniciativave të përbashkëta mes grave që bëjnë biznes dhe involvimin e një numri më të madh të grave në botën e biznesit, sepse siç theksoi ajo gratë kanë dëshmuar se janë të zonja të jenë të suksesshme në çdo sferë të biznesit. Në panel të pranishëm ishin dhe znj. Maja Anteska nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, znj. Daniela Miceva nga Prokredit Banka – Maqedoni, znj. Lilijan Kandikjan nga IME projekti i Ambasadës Zviceriane, z. Blerim Zllatku nga Ministria e Ekonomisë e shumë të tjerë, shumica gra të cilat ushtrojnë biznese, udhëheqëse të asosacioneve të ndryshme të biznesit, dhe shoqatave civile, mbrojtëse të së drejtave të grave. Nga ana e znj. Anteska, u preznatua programi i BERZH-it, e cili deri më tani ka siguruar asistencë financiare dhe shërbime konsultative për gjithsej 97 kompani deri më tani, 14000 klientë të kënaqur dhe ajo që është më e rëndësishme për t’u cekur se projektet të realizuara në biznese të udhëhequra nga gratë kanë treguar më shumë rezultat. U cekën dhe pengesat për tejkalimin nga një mikro biznes në biznes të mesëm apo me përmasa me të gjëra dhe se pikërisht kjo bankë është e dedikuar me ekipin e tyre të ndihmojë në tejkalimin e këtyre mangësive, përmes modelit know-how. U promovua dhe Programi ”Gratë në biznes”, i financuar nga BERZH dhe Suedia, i cili në mesin e muajit dhjetor do të jetë zyrtarisht i hapur dhe do të lançojë mjetet e para për përkrahje të bizneseve. z. Blerim Zllatku, prezantoi Programin për konkurrencë, inovacion dhe sipërmarrësi i cili si nj vegël shtesë ofron mundësi për mbështetje dhe zhvillim të NVM të udhëhequra nga gratë, mbështetje për zbatim të politikës industriale, mbështetja dhe zhvillim të klasterëve si masa bazë, përbërëse të Programit. Ai përveç këtij programi, theksoi dhe rolin kyç të odave ekonomike në marrjen e informatave, realizimin e projekteve, promovimit të bizneseve që aplikojnë këto masa e kështu me rradhë, sepse vonesat në arritjen e informatës të pala e interesuar, pengon marrjen e këtyre mjeteve dhe aplikimit në projektet e tyre. Të gjithë të pranishmit në diskutim e sipër u dakorduan se mjetet e ofruara qoftë nga kanalet qeveritare, qoftë nga fonde dhe donatorë të ndryshëm, mbase nuk janë të mjaftueshme për realizimin e të gjitha projekteve apo jo gjithësecili arrin të ketë qasje, por kjo sinergji që treguan gratë sot dëshmon vullnetin për të realizuar qëllimin e tyre. Grupacioni i Grave Afariste vazhdon të punon në kauzën e tij, për t’i bashkuar së pari gjithë gratë me një vend, për të krijuar një rrjetëzim ku do të shkëmbeheshin përvoja dhe projekte të përbashkëta dhe ngritjen e sipërmarrësisë së gruas në nivelin e duhur. Përveç aktiviteteve që do të realizojë deri në fund të vitit, nga viti i ardhshëm do të dalë me një platoformë për sipërmarrësinë e gruas.

Comments are closed.