Dita ndërkombëtare e Gruas Rurale në fshatin Shipkovicë

  Më datë 12 Tetor 2013 (E shtunë)fshatin Shipkovicë të Tetovës, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, Shoqatën për Zhvillim Lokal Rural, Qendra për bujqësi të qëndrueshme dhe zhvillim rural (CESARD) dhe USAID projekti për zhvillimin e bizneseve të vogla, organizuan manifestimin me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas Rurale (15 Tetor 2013). Aktiviteti u mbajt në shkollën fillore “Rexhep Voka” në Shipkovicë. 

  Dita ndërkombëtare e gruas rurale, qëllimi i të cilës është të theksohet roli i grave nga rajonet dobët të zhvilluara në prodhimin dhe sigurinë e ushqimit shënohet që nga viti 2008.

  Në këtë manifestim, kryetari i OEMVP-së në fjalimin e tij, ndërmjet tjerave tha se “Energjija, talenti dhe forca e grave dhe vajzave përfaqeson burimin me të çmuar dhe më të pashfrytëzuar të natyrës njerëzore, dhe këtu dua të veçoj rëndësinë e senzibilizimit të çështjes gjinore në zonat rurale, sepse ne pamë se me sensin e tyre ndërmarrës dhe intelegjencën e tyre mund t’i japin më shumë kësaj shoqërije”.

Gjithashtu, gratë e pranishme i përshëndeti edhe kryetarja e komunës së Tetovës znj. Teuta Arifi, e cila shprehu kënaqësinë e saj për organizimin e këtij manifestimi pikërisht në fshatin Shipkovicë të Tetovës, dhe ofroi mbështetjen e saj për të gjitha gratë që duan të zgjerojnë aktivitetet e tyre për të filluar ndonjë biznes të vogël.

  Bashkëshortja e ambasadorit të SHBA-ve në Maqedoni, znj. Mary Jo Wohlers, prezantoi disa praktika të suksesshme të cilat janë financuar apo përkrahur në ndonjë mënyrë nga ana e USAID, dhe tha se ky aktivitet ka peshë të rëndësishme edhe në nivel ndërkombëtar dhe se roli i gruas rurale në shoqëri është i padiskutueshëm. Gruaja rurale paraqet një shtyllë të shëndoshë në shoqëri, veçanërisht në shoqërinë shqiptare, ngase ajo mundet të luaj një rol shumë domethënës edhe në sigurimin e të ardhurave shtesë për familjen, e pse jo edhe në udhëheqjen e bizneseve, – tha znj. Wohlers.

  Edhe pronari i kompanisë Mebi Prima, z. Gëzim Ajdini, prezantoi kompaninë dhe veprimtarinë e tij, të cilën e ka realizuar pikërisht nga përkrahja e këtyre institucioneve.

  Në fund, për të dëshmuar se gratë munden të jenë të suksesshme dhe se kanë ide e kreativitet të krijojnë me duart e tyre gjëra shumë të bukura, të gjithë kishin rastin të shohin prodhime lokale të përgatitura nga gratë e fshatit Shipkovicë, si dhe disa veshje tradiciale dhe punë dore. 

 

Fotografi nga aktiviteti: 

http://s1276.photobucket.com/user/USAID-SBEP/library/Day%20of%20Rural%20Women%20in%20Shipkovica

Comments are closed.