Delegacion nga OEMVP zhvilloi takim me rektorin e UEJL-së
Delegacioni i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, në krye me kryetarin z. Nebi Hoxha, sot realizuan takim me rektorin e ri të Universitetit të Evropës Juglindore, z. Abdylmenaf Bexheti i cili morri postin në fillim të këtij viti akademik.
Gjatë takimit u biseduan çështje të shumta, që kanë të bëjnë me bashkëpunimin mes OEMVP-së dhe UEJL-së sidomos për ngritjen e nivelit të profesionalizimit të kuadrove të reja. Bashkëpunimi me institucionet e arsimit të lartë në vend paraqet një urë-lidhëse shumë të rëndësishme në procesin e funksionimit të suksesshëm dhe të frytshëm të odës, pasi që kuadrot profesionale në arsim rrënjët e tyre i kanë në institucionet e arsimit të lartë. Duke u nisur nga ky fakt OEMVP vlerëson lartë punën e institucioneve të arsimit të lartë dhe rolin që ata kanë në ngritjen e nivelit të zhvillimit të kompanive në të ardhmen. Zhvillimi i arsimit cilësor është parakusht për zhvillim ekonomik në vend, duke përgatitur gjenerata cilësore dhe të nevojshme sipas kërkesave të tregut që reflektohen përmes kërkesave të kompanive.
Profilizimi dhe përgatitja profesionale e studentëve është garancë për cilësi të shërbimeve në bizneset që operojnë në vend. Prandaj, në sajë të bashkëpunimit të deritanishëm kryetari i OEMVP-së drejtoi deri te rektori i ri kërkesën për bashkëpunim të mëtutjeshëm dhe adresoi nevojën e avancimit të tij me qëllim të nxitjes së aftësive kreative dhe inovative të studentëve përmes punës praktike në kompani. Kryetari Nebi Hoxha theksoi se nevoja për ndjekje të zhvillimit teknologjik bashkëkohor janë të domosdoshme, prandaj kompanitë anëtare të OEMVP-së janë të gatshme dhe kanë kapacitet të trajnojnë studentët me qëllim që të aftësohen në aspekt praktik që të njëjtit të jenë më konkurrent në tregun e punës në të ardhmen dhe të plotësojnë nevojat dhe kërkesat e kompanive sa i përket aftësive të tyre për punë.