Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore më datë 03 Tetor 2013 organizoi debat të hapur me temë “Propozim Buxheti për vitin 2014“. Në këtë takim ishin të ftuar akademiku Abdylmenaf Bexheti, zëvendës ministri i financave Ardijan Xheladini, përfaqësues të bizneseve shqiptare anëtare të OEMVP-së dhe media.
“Deri më tani buxheti është diskutuar në konotacion politik, kurse sot këtu do të shohim të njëjtin edhe nga aspekti shkencor. Buxheti për vitin 2014 është më i lartë se vitet e mëparshme, dhe sigurisht që interesi i përbashkët është dialogu i vazhdueshëm në lidhje me investimet në drejtim të projekteve të infrastrukturës, dhe ne si odë ekonomike nuk duam të japin konotacion etnik. Rritja e përqindjes për investime kapitale nuk është aq sa kemi kërkuar, por kjo rritje në krahasim me vitet e kaluara është shumë më e madhe. Buxhetin e mbushim në mënyrë të barabartë, prandaj duhet edhe në mënyrë të barabartë të shfrytëzojmë atë”, deklaroi kryetari i OEMVP-së z.Kuçi.
Zëvendës ministri i financave prezantoi para bizneseve propozim buxhetin për vitin 2014, duke paraparë shpenzime në vlerë prej rreth 2 miliardë e 870 milionë euro, ndërsa të ardhurat 2 miliardë e 572 milionë euro. Deficiti buxhetor do të sillet në 3.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, ose 298 milionë euro që do të mbulohen me hua brenda dhe jashtë vendit. Rritja ekonomike e vendit parashikohet të jetë 3.2 %, ndërsa inflacioni do të sillet në 3.3 %. Sa i përket mjeteve për investime kapitale, ato janë rritur për 20 % dhe sillen në rreth 370 milionë euro. Ai gjithashtu shtoi se me propozim buxhetin për vitin 2014 janë paraparë edhe shumë investime në pjesët e banuara me shqiptarë, si ndërtimi i zonave të lira ekonomike në Tetovë, Gostivar, dhe Strugë, pastaj rruga Kërçovë-Strugë, si dhe mjete të shumta për ndërtimin dhe rinovimin e objekteve arsimore, kulturore e shëndetësore në zonat ku jeton popullatë shqiptare.
“Në përpjesëtim me produktin bruto të brendshëm është po thuaj përsëri rekord në parashikimet e deritanishme, aq më tepër kur ne e dimë se komponentët kryesore që e mbushin, që e plotësojnë buxhetin janë të ardhur nga konsumi dhe konsumi te ne është në fazë të trendit rënës edhe për shkak të komponentë që diaspora gjithnjë e më pak po sjell para dhe po remiton gjithnjë e më pak para në vend, ekonomia është gjithnjë jo likuide, kreditimi është gjithnjë rënës dhe të gjitha këto pra nënkuptojnë se nuk ka shumë vend për të qenë optimist në këtë parashikim optimistik”, deklaroi akademiku Abdylmenaf Bexheti.
Përsëritja e projekteve të rëndësishme shqiptarët nga viti në vit siç janë në ndërtimin e rrugës Likovë-Kumanovë, ndërtimi i kanalit në Haraçinë, ndërtimi i ujësjellësve është obstrukcion nga bartësi i buxheti. Edhe sipas akademikut Bexheti, bartësi i vendimeve të kësaj natyre nuk është subjekti politik shqiptar.
Në takim u diskutua edhe mundësia që buxheti i propozuar të mos jetë i realizueshëm qind për qind dhe sidomos pjesa që u takon shqiptarëve. Paralajmërime të këtilla ka pasur edhe në të kaluarën, por ato nuk janë realizuar asnjëherë, thonë nga ana tjetër bizneset. Ata, madje, kanë vërejtje edhe për shumën e ndarë për zonat e banuara me shqiptarë, që nuk kalojnë edhe 5 për qindëshin e shumës së përgjithshme për investime kapitale prej 370 milionë euro.



