Home / Lajmet / Lajmet e fundit / 40 milionë euro gjoba për 2 milionë banorë

40 milionë euro gjoba për 2 milionë banorë

Rreth 40 milionë euro gjoba duhet të paguajnë 2 milion banorët e Maqedonisë në vitin 2016, gjë që përsëritet tanimë disa vite me radhë. Ekspertët thonë se dënimet dhe gjobat, janë dhe duhet të mbesin masa me karakter edukativ, e jo si burim për mbushjen e buxhetit.

Fatmir Bytyqi dhe Ali Maksuti shprehen se nuk është një gjë e zakonshme që politikat e qeverisë të bazohen në masa restriktive. Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Fatmir Bytyqi, thotë se çdo qeveri ka një pjesë që është represive, sepse edhe komuniteti i biznesit shpeshherë di të harrojë obligimet ligjore, por paralajmëron për keqpërdorimet e mundshme të kësaj politike nga ana e qeverisë.

“Historikisht duhet të themi se buxheti në pesë vitet e fundit, një pjesë të rëndësishme e ka nga gjobat të cilat i vihen komunitetit të biznesit. Dhe neve na brengos, jo kjo kategori buxhetore që gjithmonë ka qenë, neve na brengos sepse kjo kategori buxhetore ka qenë në rritje në fazat parazgjedhore, ose kur kemi situata të cilat nuk janë situata të zakonshme dhe neve akoma më shumë na brengos nëse kjo periudhë do të shfrytëzohej për diçka të tillë”, thotë Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Fatmir Bytyqi,

Ndërkohë, eksperti ekonomik, Ali Maksuti, thekson se gjobitja e bizneseve dhe qytetarëve, është masa më e rrezikshme që mund të shfrytëzojë pushtetit për mbushjen e buxhetit.

“Gjobat në çdo shtet janë, edhe këtu duhet të jenë për të rregulluar sistemin ligjor të shtetit, por, këtu nuk është esenca për të rregulluar sistemin ligjor të shtetit nëpërmjet gjobave, por për të mbushë buxhetin. Tash qeveria do të mundohet që të mos e bëjë në atë formë që e bënte para disa viteve që formën e gjobave e mblidhte në formën më të rrezikshme shkonte duke shfrytëzuar edhe ministrinë e punëve të brendshme duke hyrë nëpër lokale e biznese, sidomos në MaqedoninëPerëndimore”, tha eksperti ekonomik Ali Maksuti.

Ekspertët theksojnë se në relacion me komunitetin e biznesit, qeveria duhet të zhvillojë partneritet i cili do të duhej të sjell zhvillim ekonomik. Por, gjobitja pa masa paraprake edukative, zvogëlon mundësinë e një partneriteti të këtillë. Në buxhetin e këtij viti janë planifikuar të ardhura prej mbi 38.3 milionë euro nga gjobat dhe taksat administrative, gjë është një rritje prej rreth 10 milionë denarëve në krahasim me buxhetin paraprak.

http://shenja.tv/40-milione-euro-gjoba-per-2-milione-banore/