Takim me Ministrin e vetëqeverisjes lokale
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha sot priti në takim Ministrin për vetëqeverisje lokale Lirim Shabanin bashkë me kabinetin e tij. Gjatë takimit u diskutua rreth punëve dhe aktiviteteve me interes të përbashkët, me theks të posaçëm në procesin e decentralizimit, për programet ndërkufitare të njohura të IPA, për projektet për zhvillim regjional si dhe për aktivitete tjera.
Kryetari Nebi Hoxha, tha se Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore deri tani ka realizuar numër të konsiderueshëm të projekteve ndërkufitare të cilat kanë kontribuar dukshëm në përmirësimin e kushteteve ndërmjet regjioneve ndërkufitare. Ministri Shabani theksoi gjithashtu se MVL ka përqindje të lartë të shfrytëzimit të mjeteve nga IPA fondet dhe se një dinamikë e këtillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Lidhur me programet ndërkufitare, drejtori ekzekutiv i OEMVP Fatmir Bytyqi prezantoi aktivitetet kryesore të tre projekteve të cilat OEMVP i ka implementuar me sukses në bashkëpunim me partnerët nga rajoni ndërkufitar si Biznes pa kufij, Mbrojtja e markave të produkteve nga bashkëpunimi ndërkufitar dhe Fuqizimi i të rinjve dhe gjenerimi i punësimit.
Kryetari theksoi përpjekjet që bën OEMVP që përmes projekteve konkrete dhe me ndihmë financiare nga fondet IPA dhe nga fonde tjera nga Bashkësia Evropiane të arrij realizimin e hapave konkret në fusha të caktuara me tendencë të vazhdueshme për përmirësimin dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkufitar me të gjithë rajonet kufitare që na rrethojnë.
Ministri Shabani shprehi kënaqësinë e tij për rezultatet e aritura deri tani të OEMVP duke nënvizuar se çdo rezultat i tyre është një shans plus për qytetarët e Maqedonisë sepse me këtë shtohen edhe mundësitë për punësime të reja. Ai theksoi se OEMVP luan një rol të rëndësishëm në planin organizativ të subjekteve ekonomike në Maqedoni dhe se kjo ka efekte pozitive në drejtim të arritjes së rezultateve edhe më të mira ne te ardhmen. Ai potencoi se Ministria për vetëqeverisje lokale është e gatshme për bashkëpunim me OEMVP duke nënvizuar se të gjitha aktivitetet e deritashme janë në drejtim të rritjes së mirëqenjes së qytetarëve dhe krijimit të klimës sa më të përshtatëshme për biznes.
Në fund të takimit u dhanë edhe deklarata për shtyp.
Comments are closed.