Тakimi i radhës me kompanitë e Regjionit të Pollogut: OEMVP përforcon dialogun dhe bashkëpunimin me DAP
15.08.2024, Shkup – Në vazhdën e takimeve me zyrtarë të Drejtorisë së të ardhurave publike, OEMVP organizoi takimin e radhës me kompanitë е Rajonit të Pollogut, në hapësirat e kompanisë anëtare – Hotel Merkur, Tetovë.
Në këtë takim morën pjesë Drejtori Ekzekutiv i OEMVP z. Zekiri, nënkryetari z. Asani, anëtarë të Këshillit Drejtues dhe kompani të tjera anëtare të Odës të cilat operojnë në këtë rajon. Bizneset patën rastin për të diskutuar dhe adresuar paqartësitë që kanë në lidhje me praktikat dhe procedurat e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, duke propozuar zgjidhje konkrete për sfidat e përditshme që hasin në veprimtarinë e tyre.
Një nga temat kryesore që u diskutua ishte domosdoshmëria e përshpejtimit të procesit të digjitalizimit të shërbimeve të DAP dhe sinkronizimi i informacioneve me Drejtoritë dhe institucionet tjera të cilat janë të ndërlidhura. Propozim i anëtarëve të Odës ishte edhe thjeshtëzimi i disa procedurave dhe eliminimi i të dhënave të dyfishta siç është rasti me evidentimin e të dhënave në Librin ditor të pasqyrës financiare.
Drejtori Ekzekutiv, z. Zekiri, nënvizoi rëndësinë e luftimit të ekonomisë joformale, e cila përbën një pengesë serioze për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për trajtimin jo adekuat të bizneseve anëtare të OEMVP-së nga ana e DAP-it, duke e ditur se kemi një numër të konsiderueshëm të tregtarëve jo-legal që operojnë në tregun e vendit, dhe të njëjtit nuk sistemohen dhe formalizohen, kështu duke i shkaktuar dëme të mëdha kompanive formale.
Një tjetër çështje e rëndësishme që u diskutua ishte nevoja për një zgjidhje sistematike për pagesën e taksave para kryerjes së transaksioneve.
Përfaqësuesit e DAP-së theksuan se janë duke punuar për zhvillimin e një sistemi të integruar automatik, i cili do të mbledhë dhe menaxhojë në mënyrë të plotë të gjitha informacionet e nevojshme të obliguesve tatimorë, duke e bërë procesin tërësisht të digjitalizuar.
Si përfundim, u vendos që të krijohet një kanal komunikimi i rregullt, përmes të cilit anëtarët e OEMVP-së do të kenë mundësinë të dërgojnë propozimet dhe të raportojnë parregullsitë që hasin në treg.
OEMVP mbetet e përkushtuar për të avancuar dialogun produktiv dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve shtetërore, duke adresuar sfidat dhe duke krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.