Skopje East Gate (SEG) – investim i ri i Grupit Balfin

01 Qershor 2018 – Mbrëmë NEPTUN shënoi 20 vjetorin e ekzistimit në tregun e Maqedonisë. Në mesin e mëse 1000 të ftuarve, z-ri Arsim Papraniku prezantoi të arriturat dhe sukseset, si dhe objektivat vijuese.

Një investim me vlerë rreth 350 milionë euro, 10 blloqe me komplekse rezidenciale dhe 5 blloqe ndërtesash për qëllime biznesi, një qendër tregtare me mbi 250 dyqane me markat më të njohura botërore dhe mbi 2.000 vende të reja pune, ky është projekti Skopje East Gate (SEG), të cilin Grupi Balfin e prezantoi si vizionin e tij për një simbol të Shkupit të ri dhe modern.

Grupi Balfin që ka ideuar dhe realizuar historinë e suksesit në Maqedoni me Neptun – rrjeti më i madh i pajisjeve elektro-shtëpiake në vend – dhe me Skopje City Mall (qendrën më të madhe tregtare) paraqiti konceptin e Skopje East Gate që do të jetë i pari i llojit të tij në rajon dhe që do të bashkojë konceptin e shopping, të jetuarit dhe të bërit biznes në një të vetëm.

Kjo kompani e ka filluar aktivitetin e saj që në vitin 1998 duke modernizuar dhe revolucionarizuar tregun e elektroshtëpiakeve në vend. Tashmë Neptun është një markë mjaft e njohur që bën pjesë në rrjetin e Neptun International me prezencë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Gjatë 20 viteve te ekzistencës së saj, Neptun ka sjellë në çdo kohë koncepte, teknika si edhe mënyra që kanë ndryshuar përvojën e konsumatorëve dhe format e promovimit të produkteve të shitjeve me pakicë për tregun shqiptar. E para që mundësoi blerjen me këste të produkteve të ndryshme në të gjitha dyqanet dhe e para që ofron dhënien e këtyre kësteve pa asnjë interes për blerësin deri në 24 muaj.

Emri Neptun lidhet me firmat më të mëdha botërore të pajisjeve elektronike. Si pjesë e Grupit Balfin, grupit më të madh, dinamik dhe inovativ të investimeve në rajon, familja e Neptun ka në gjirin e saj mbi 400 punonjës. Sot me nje rrjet prej 25 dyqanesh, Neptun është aktualisht prezent në 21 qytete të Maqedonisë.

Grupi Balfin është një ndër grupet private më të mëdha investuese në rajon, portofoli i të cilit përfshin investime në qendrat tregtare, zhvillimet e zonave rezidenciale dhe tregtare si dhe aktivitetet e shitjeve me pakicë me rrjetin e dyqaneve Neptun, Jumbo, apo veprimtaritë në sektorin e turizmit dhe në industrinë e fashion-it, etj.