Promovimi i TOP 100 kompanive shqiptare në Maqedoni

Promovimi i TOP 100 kompanive shqiptare në Maqedoni

 Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri – Perëndimore edhe këtë vit për herë të dytë realizoi katalogun TOP 100 kompanitë shqiptare më të suksesshme, në bazë të tre kategorive si: Qarkullimi vjetor, Fitimi dhe Punësimi.

Manifestimi u mbajt në restoran New Star në Shkup, më datë 06 Dhjetor 2012 me fillim në ora 11:00. Të pranishëm në këtë manifestim ishin kompanitë anëtare të OEMVP-së, institucionet e ndryshme shtetërore, ministrat, përfaqësues të ambasadave, rektorë dhe dekan të fakulteteve ekonomike, përfaqësues tjerë të institucioneve arsimore, Odat Ekonomike, klube të biznesit, bankat, shoqëritë e sigurimit e tjerë.

  Kryetari i OEMVP-së Menderes Kuçi, tha se kompanitë shqiptare ndikojnë shumë në ekonominë e vendit.

  “Klima e përgjithshme për të bërë biznes është e kundërta, nga ajo që shteti gjatë gjithë kohës e shpall. Kurse ajo është për shkak se ne ballafaqohemi me probleme të ndryshme. Në rrethana të jashtëzakonshme, nuk duhet të kemi masa të rregullta për nxitjen e biznesit, por në rastet e jashtëzakonshme duhet të ketë masa dhe përpjekje të jashtëzakonshme të bëra nga Qeveria për korrigjimin e klimës së biznesit. Megjithatë, këmbëngulja dhe qëndrueshmëria e kompanive tregon se ata janë të gatshëm për çdo sfidë”, tha Menderes Kuçi, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore. Ai më tej shtoi se edhe përkrah krizës ekonomike globale edhe problemeve tjera me të cilat përballet ekonomia e vendit, kompanitë shqiptare ia dalin mirë.

Alma-M është kompania më e suksesshme shqiptare e vitit në Maqedoni sipas suksesit të arritur gjatë vitit 2011. Në vend të dytë u rangua ndërmarrja Gemak, ndërsa në vendin e tretë ishte ndërmarrja Euro Aktiva.

  Në  fjalimin e tij, Muharem Murtezani pronar i Alma M, tha se është i lumtur që është shpallur i pari në këtë listë prej 100 kompanive, dhe se dëshiron që ky sukses të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

“Është një kënaqësi që jam unë i zgjedhur prijës në këtë katalog prej 100 kompanive dhe dëshira është që ta mbaj këtë vend të parë dhe të kem tjerë të cilët më përcjellin në këtë drejtim” tha Murtezani.

Përkrah afaristëve shqiptar, ishte prezent edhe ministri i Ekonomisë Valon Saraqini, i cili në fjalimin e tij tha se kompanitë shqiptare kanë ndikim të madh për shtetin dhe qytetarët.

“Ajo që është me rëndësi të përmendet është se ju siguroni punë për mijëra qytetarë në vend, ndërsa performancat e juaja tregojnë qartë se në të ardhmen  do të krijoni kushte për hapje të vendeve të reja të punës”, tha Saraqini.

“Sipas të dhënave zyrtare vetëm në këto 100 kompani, janë punësuar më shumë se 4500 njerëz, ndërsa në të gjitha kompanitë shqiptarë punojnë më tepër se 25 % nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin real. Të gjitha këto parametra tregojnë se kompanitë shqiptare janë faktor serioz në tregun real”, shtoi ai.


Related posts

SPOZORI GJENERAL