OEMVP reagon ndaj konkursit të Agjensionit për Punësim të RM mbi trajnimet për të papunësuarit

Reagim i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore ndaj konkursit të ri të Agjensionit për Punësim të Republikës së Maqedonisë mbi trajnimet për të papunësuarit

 

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, duke i ndjekur dhe analizuar vazhdimisht politikat e shtetit, vëren qartazi se aspektet diskriminuese në bazë etnike vazhdojnë edhe më tej të jenë praktikë veprimi dhe vendimmarrjeje për të, gjegjësisht vazhdon politikbërja që favorizon zonat maqedonase përballë zonave shqiptare. Këtë gjë e dëshmon edhe konkursi i fundit i Agjensionit për Punësim të Republikës së Maqedonisë, i cili ka për qëllim të bëj trajnimin e personave të papunësuar, që aktivisht kërkojë punë, ashtu që të njejtët të aftësohen në bazë të nevojave të tregut të punës.

Bazuar mbi analizën e bërë të konkursit në fjalë, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore vjen deri tek këto përfundime:

  • ky konkurs ndikon negativisht në zbutjen e disparitetit rajonal të vendit, pasi që nuk merren për bazë parametrat ekonomike ashtu siç deklarohen organet përgjegjëse të qeverisë. Nëse me të vërtetë ky projekt ka për pikënisje nevojat e tregut të punës, atëherë do të ishte pritur që të koncentrohet më shumë në rajonin e Pollogut, i cili sipas të dhënave të Entit Statistikor del se qëndron në pragun e varfërisë. Konkretisht, nëse krahasohet me rajonin e Pellagonisë i bie se është tre herë më i varfër.
  • përzgjedhja e profesioneve dhe qyteteve është tendencioze, pasiqë rajoni i Maqedonisë Veri-Perëndimore është përfshir vetëm në trajnimet për parukeri dhe grimim. Konkretisht, në rajonin e Pollogut janë anashkaluar totalisht trajnimet në lëmin e industrisë së ndërtimtarisë (tek sa të tilla janë paraparë për Strumicën, Shtipin dhe Manastirin), e cila në këtë rajon posedon kompanitë më të fuqishme në vend. Njëashtu, në po të njëjtin rajon nuk janë paraparë aspak trajnime në lëminë e industrisë së qumshtit (teksa të tilla janë paraparë për Sveti Nikolën), me të cilën Pollogu jo vetëm që është lider brenda vendit tonë, por edhe paraqet një eksportues të konsiderueshëm në vendet e Bashkimit Evropian;
  • përveç në aspekt të përzgjedhjes gjeografike të implementimit të trajnimeve, diskriminimi në bazë etnike ndihet edhe në aspektin e përzgjedhjes së implementuesve të tij. Në të vërtetë, mbetet e hapur pyetja se kush do t’i merr beneficionet financiare nga ky projekt,  kostoja financiare e të cilit duhet mbuluar nga mjetet e mbledhura nga taksapaguesit e vendit pa marrë parasysh nga cili qytet janë ata apo se cilit grupi etnik u përkasin. Për shembull, nëse këto trajnime ndiqen nga vetëm 10%  e grupit të paraparë qëllimor (230.000 persona), që bie të jetë rreth 20.000 persona, atëherë vetëm harxhimet për pagesë të pjesëmarrësve në bazë mujore për 3 muaj janë 6 milion euro. Nëse kësaj shumë i shtohen edhe harxhimet për trajnuesit, vendtrajnimet dhe harxhimet tjera administrativo-operative, atëherë del se realisht një projekt i tillë buxhetit të Republikës së Maqedonisë i kushton aq dukshëm, saqë hapet çështja se sa realisht ajo posedon kapacitete financiare për të ndërmarrë këtë iniciativë
  • Ky konkurs dëshmon mbi jotransparencën dhe animin e buxhetit të planifikuar, pasi që në asnjë moment nuk tregohet kostoja që është paraparë për të mundësuar implementimin e tij.

Në bazë të përfundimeve të lartë përmendura, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perendimore bën thirrje publike deri tek Qeveria e Republikës së Maqedonisë që të ndaloj praktikat diskriminuese në çfarëdo baze në politikbërjet e saja dhe rrjedhimisht të tregohet gjithëpërfshirëse, ashtu që të gjithë qytetarët e saj të kenë mundësitë e njejta për të shfrytëzuar beneficionet e politikave të saj, sepse teoritë e reja ekonomike bazohen në mundësi të barabarta.

Shkup,

25 Mars 2016

Comments are closed.