OEMVP promovon sipërmarrësinë tek të rinjtë

OEMVP promovon sipërmarrësinë tek të rinjtë

21 Mars 2017 – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore sot ishte nikoqire e delegacionit të përbërë nga nxënës të shkollave të mesme dhe profesorë nga Belgjika (koordinatore e projektit), Gjermania, Spanja, Franca, Italia, Suedia, Hungaria dhe Maqedonia.

OEMVP duke qenë promotorë  i sipërmarrësisë, i risive, i konkurrueshmërisë, i përgjegjësisë shoqërore të ndërmarrjeve dhe i rajonalizimit/internacionalizimit të bizneseve, i jep përparësi inkuadrimit të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NVM), me theks të posaçëm mbi gratë, të rinjtë dhe zonat rurale, të cilat veprojnë në territorin e Maqedonisë Veri-Perëndimore.

Ky aktivitet sot ishte në kuadër të programit të Bashkimit Evropian “Erasmus Plus”, një program i udhëhequr nga Komisionit Evropian, i fokusuar në arsim, trajnim, rini dhe sport.

Kryetari i OEMVP-së Nebi Hoxha tha se krijimi i mundësive të reja për edukim dhe përvetësim të njohurive dhe shkathtësive të reja për të rinjtë, do të ngelet prioritet i Odës, ndërsa programi në fjalë është një mundësi e shkëlqyer që do të kontribuojë në zhvillimin e të rinjve, që do të rezultojë me një konkurrencë dhe potencial më të madh si një bazë e mirë për zhvillimin e vendit.

Mbi format e punësimit të të rinjve, subvencionet që ofron shteti, trajnimet e ndryshme dhe sipërmarrësinë e të rinjve, prezantime realizuan Agjencioni për punësim i RM-së, Forumi edukativ rinor dhe Kariera.mk, kurse mbi mundësitë e punësimit dhe programet për përkrahje të të rinjve nga ana e kompanive, prezantuan kompanitë Dauti Komerc, Alma-M dhe Benton Ni.

OEMVP vazhdon të promovojë sipërmarrësinë tek të rinjtë dhe i motivon ato për fillim të biznesit, duke prezantuar edhe projektin që së shpejti do të implementohet lidhur me biznes inkubatorin.

Sipërmarrësia është fuqi lëvizëse e secilës ekonomi, siguron dobi në nivel shoqëror dhe individual, duke promovuar rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm. Sipërmarrësit jo vetëm që vetëpunësohen, por njëkohësisht krijojnë edhe vende pune, me çka luajnë rol të rëndësishëm në jetën ekonomike dhe shoqërore.

Delegacioni i studentëve më pas do të vijojnë vizitën e tyre në kompanitë anëtarë të Odës.

Related posts

SPOZORI GJENERAL