OEMVP organizon forumin për promovimin e prodhimit dhe produkteve të trojeve shqiptare

OEMVP organizon forumin për promovimin e prodhimit dhe produkteve të trojeve shqiptare

01 Prill 2017 – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në bashkëpunim me Klubin e prodhuesve të Kosovës dhe Bashkimin e Prodhuesve shqiptarë sot në Shëngjin në Hotel Prince organizuan takimin e përbashkët të prodhuesve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia lidhur me forumin “Promovimi i ndërmarrësisë, prodhimit dhe produkteve të trojeve shqiptare”.
Ky takim u organizua si rrjedhojë e takimit të Prizrenit dhe Mavrovës, në kuadër të marrëveshjes midis OEMVP-së, Klubit të Prodhuesve të Kosovës dhe Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë ku temë kryesore e diskutimit ishte propozimi për krijimin e këtij forumi.

Në fjalimin përshëndetës, kryetari i OEMVP-së Nebi Hoxha, tha se “Ne do të vazhdojmë të punojmë në drejtim të eliminimit të barrierave administrative, aplikimit të legjislacionit, sundimin e ligjit, përmirësimin e infrastrukturës dhe klimës afariste. Ne promovojmë risitë dhe  konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve, si dhe rajonalizimin apo internacionalizimin e të gjitha bizneseve që operojnë në trojet shqiptare e që merren me prodhim të produkteve të ndryshme. Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perendimore gjithmonë është në kërkim të mundësive që janë më të volitshme për bizneset tona. Bashkëpunimi është domosdoshmëri për t’u zgjeruar në tregjet rajonale dhe ato globale me qëllim që bashkërisht të jemi më të fuqishëm dhe më konkurrent.”

Po ashtu pjesë e panelit ishin edhe Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë në Tiranë, Hykmete Bajrami, Ministre kosovare e Tregtisë dhe Industrisë, Driton Kuçi Ministër i Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë, Milva Ekonomi ministre shqiptare e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Tregtisë, si dhe Astrit Shabani kryetari i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë.

“Sipas të dhënave të fundit shkëmbimi tregtar në mes Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka shumë lëvizje dhe mund të konstatohet se Maqedonia ndër vite po e humb tregun e Kosovës. Ne nuk bashkëpunojmë shumë në nivel ekonomik, aty kemi ngecje, prandaj qeveritë duhet të kenë prioritet dhe objektiv afatgjatë pikërisht këtë aspekt. Shumë procedura janë thjeshtësuar, kemi marrëveshje bashkëpunimi edhe me drejtoritë e doganave, angazhohemi edhe drejt hapjes së terminaleve të reja doganore dhe fuqishëm besojmë se ka ardhur koha të materializojmë ato dhe të nisim me aktivitete dhe projekte konkrete.” – tha Nebi Hoxha, kryetar i OEMVP-së.

Nagip Fejzi, i zgjedhur si kryetar i Forumit mbarëshqiptar, vlerësoi se me këto nisma prodhuesit shqiptarë po vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe duhet të jenë edhe më unik, gjithsesi me përkrahjen e mekanizmave shtetërorë.

Në Forum po ashtu u bë  edhe prezantimi i platformës së re prodhuese për Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni dhe u firmos edhe akt themelimi dhe statuti i Forumit Ekonomik Mbarëkombëtar, kurse më pas delegacionet vazhduan në Korçë, ku nesër do të marrin pjesë në ceremoninë e dhënies së titullit “Qytetar nderi” z. Blerim Devollit.

Related posts

SPOZORI GJENERAL