OEMVP-ja prezantoi analizë për zonën e Vizbegut

OEMVP-ja sot organizoi konferencë për shtyp, në të cilën prezantoi analizën e kryer për zonën e Vizbegut. Ajo si përfaqësues legjitim i komunitetit të biznesit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke u përkujdesur për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të biznesit në vend dhe jashtë, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të volitshme për të bërë biznes, gjithmonë ka qenë, është dhe do të jetë në ballë të sfidave dhe barrierave të cilat e pengojnë zhvillimin normal të kompanive anëtare.

Zona e Vizbegut, që nga fillimi i funksionimit, është kryefjala e paraqitjeve publike të OEMVP për arsye të rëndësisë së saj në zhvillimin ekonomik të vendit. Kjo zonë është shembulli i vetëm pozitiv i cili mbijeton në saje të kapaciteteve vetanake, është zonë e cila gjeneron marzhë të konsiderueshme të fitimit si dhe dukshëm ndikon në uljen e papunësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Zhvillimi i barabartë rajonal dhe krijimi i kushteve të njëjta për të gjitha zona industriale nëpër qytete duhet të ndikonte edhe në parandalimin e shpërnguljes të fuqisë punëtore të kualifikuar dhe cilësore. Kjo është një nga mekanizmat themelorë për të mbajtur në vend gjeneratat e reja që paraqesin të ardhmen e vendit tonë.

Sa i përket aspektit infrastrukturor dhe kushteve për të bërë biznes është shumë e rëndësishme të themi që zona e Vizbegut, edhe pse i takon rajonit planor të Shkupit, ka mungesë të infrastrukturës primare për funksionim normal, edhe atë: lidhjen me rrjetin e kanalizimit dhe ujësjellësit, furnizimin e rregullt me energji elektrike, infrastrukturë rrugore të pariparuar, etj.

OEMVP-ja sot prezantoi një analizë specifike për gjendjen dhe parashikimet e zhvillimit të kësaj zone në të ardhmen. Kjo analizë është realizuar nga OEMVP në bashkëpunim me INSIDER ID dhe Target Grup.

Nga të dhënat e përpunuara dhe analizuara, shihet se: zona industriale e Vizbegut bën pjesë me rreth 3,4% në BPV të Republikës së Maqedonisë së Veriut; kompanitë e kësaj zone kanë rritje të konsiderueshme në të ardhurat nga viti 2013 deri në vitin 2017 prej 270.3 në 342.7 milionë euro, me një rritje më të madhe në vitin 2016 prej 380.1 milionë euro, ose rritje mesatare prej 7% në vit në periudhë 5 vjeçare ose 72 mil­ion euro; zona në tërësi ka një normë të lartë të rritjes ekonomike në krahasim me ekonominë e Maqedonisë, e cila tregon për suksesin e këtyre kompanive, edhe pse kushtet në këtë zonë nuk janë të favorshme; sipas lëvizjes së të hyrave, shpenzimeve dhe fitimit të kompanive, parashikimet janë që deri në vitin 2022, të ardhurat totale të arrijnë në vlerë prej 431.3 milionë euro; ridrejtimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes stimulimit në formën e mjeteve financiare dhe hapësirave të punës, ku do të rriten mundësitë e bashkëpunimit që do të ndikonte në përmirësimin e ekosistemit dhe do të ishte vendimtare për rritjen eksponenciale të zonës dhe rritjen e ekonomisë së vendit; bizneset të cilat operojnë në këtë zonë dëshmojnë qëndrueshmëri nga ku rreth 41% e tyre janë aktivë në treg mbi 11 vite,  21.8% janë aktive 7 deri në 10 vite dhe 15.5% e kompanive janë aktive 4-6 vite; sa i përket veprimtarisë që ushtrohet nga kompanitë e kësaj zone, përqindja më e madhe e tyre ofrojnë Tregti me shumicë dhe pakicë me rreth 48%, ndërsa industria e përpunimit është e dyta me 19%, gjë që është e logjikshme pasiqë prodhimtaria kërkon nivel shumë më të lartë të infrastrukurës në krahasim me tregtinë; kompanitë e zonës punësojnë më shumë se 2800 punëtorë, dhe sipas trendit të rritjes e parashikimeve reale ekonomike, në periudhën 5 vjeçare pritet rritje e këtij numri deri në 3100 punëtorë apo 11% rritje nga gjendja momentale; problemet infrastrukutore dhe pakujdesia institucionale kanë sjellë deri në shuarjen e 139 kompanive brenda një periudhe 5 vjeçare, prandaj duhet të pyesim a duam që ky trend të vazhdojë ose me të gjitha forcat të veprojmë në mënyre efikase dhe efektive që të parandalojmë një gjë tillë dhe të flasim vetëm për rritje të numrit të kompanive të themeluara në këtë zonë.

Nga këto të dhëna padyshim vërtetohet që Zona e Vizbegut paraqet një hallkë shumë të rëndësishme në funksionimin e ekonomisë në vend, si për qarkullimin e realizuar, ashtu edhe për punësimet e reja.

 

 

 

Të ngjajshme