Kryetari Hoxha vizitoi sot kompanitë anëtare të Sarajit

16 Maj 2018 – OEMVP po vazhdon me mbajtjen e takimeve të Roadshow-it dhe kryetari Nebi Hoxha vizitoi sot ndërmarrjet Adrijus, Frukt Import, Dauti Komerc dhe Dervent Promet, të gjitha këto që operojnë në komunën e Sarajit në Shkup.

Gjatë takimit kryetarit iu adresuan ankesat që tash e sa vite janë brenga themelore e kompanive nga ky rajon dhe u shprehën optimist se së shpejti do të përmirësohet gjendja, ngaqë siç thanë pronarët e këtyre bizneseve, për herë të parë një kryetar ode i viziton dhe interesohet për ta.

Me këtë rast, kompanitë informuan përfaqësuesit e Odës edhe me projektet e reja të tyre që janë paraparë të realizohen me mjete vetanake dhe kërkuan përkrahje për tërheqje të investimeve tjera me qëllim të përmirësimit të standardit jetësor në këtë pjesë në përputhje me politikat zhvillimore të komunës.

Kryetari Hoxha kërkoi nga afaristët që të japin sugjerimet dhe propozimet e tyre për përmirësimin e klimës së biznesit dhe kushteve të tregtisë në përgjithësi. Ai përshëndeti këto takime konstruktive, në të cilët ka pasur mundësi që personalisht të njoftohet me mendimet e biznesmenëve, duke kërkuar nga ata propozime rreth aktiviteteve dhe shërbimeve që ofron Oda me atë që ua bëri me dije se Oda qëndron dyerhapur për të gjitha kompanitë dhe mbetet e përkushtuar në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve si dhe sjelljen e shërbimeve të reja në interes dhe nevojë të bizneseve.