Bizneset diskutuan rreth reformave në prokurimet publike

Bizneset diskutuan rreth reformave në prokurimet publike

22 Shkurt 2018 – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore sot në Strugë organizoi sesionin informativ me temë “Reformat në prokurimet publike me theks të veçantë në propozim tekstin e Ligjit për prokurime publike”.

Ky sesion informativ realizohet përmes projektit të USAID “Partneritet për rregullativë më të mirë afariste” në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Zyrën për Prokurime Publike.

Qëllimi i këtij sesioni informativ është informimi i ndërmarrjeve në Republikën e Maqedonisë për ndryshimet në rregullativën ligjore në fushën e prokurimeve publike dhe diskutim rreth propozimeve për përmirësim. Ky sesion informativ u organizua për të gjitha mikro kompanitë dhe kompanitë e vogla dhe të mesme të cilat ballafaqohen me vështirësi në implementimin e ligjeve.

Në këtë sesion informativ prezent ishte edhe Ministri i financave dhe prezantoi reformat mbi prokurimet publike duke marrë pjesë aktive edhe në diskutimet me komunitetin e biznesit. Gjatë sesionit bizneseve iu drejtua edhe drejtori i Byrosë për Prokurime Publike të Republikës së Maqedonisë, Georgi Georgievski, i cili ndëgjoi sugjerimet e komunitetit të biznesit mbi përmirësimet e mundshme të Ligjit të ri për Prokurimet Publike.  Ekspertë të dalluar të kësaj fushe ua prezantuan kompanive draft e ligjin e ri për prokurime publike dhe i inkurajuan të pranishmit që në mënyrë të hapur ti shprehin komentet e tyre. Propozimet e komunitetit të biznesit pas përfundimit të sesionit informativ do të përpunohen më tej dhe do t’i paraqiten Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

Gjatë sesionit u bë edhe një përmbledhje e shkurtër e rezultateve të aktiviteteve në kuadër të projektit të USAID për Partneritet për rregullativë më të mirë afariste.

Ky është sesioni i dytë informativ nga tre të paraparat në fushën e prokurimeve publike. Më pas do të përfshihen edhe qytetet tjera në Maqedoni ku do të diskutohet mbi të njëjtën temë, për të mbuluar pjesën më të madhe të komunitetit të biznesit, institucionet dhe ekspertët përkatës në fushën e prokurimeve publike.

Në periudhën e ardhshme, projekti do të vazhdojë të punojë për zgjidhje konstruktive për pajtueshmëri më të mirë ligjore të kompanive dhe mbështetje për mekanizmat për dialogun publiko-privat mes të gjitha palëve. Të gjitha aktivitetet e projektit kryhen nga EPI CENTAR International dhe katër partnerët kryesorë: Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, Oda Ekonomike e Maqedonisë, Oda Ekonomike e Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit – MASIT dhe Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë. Përmes pjesëmarrjes aktive në zbatimin e projektit, odat ekonomike gjithashtu forcojnë kapacitetet e tyre për të përfaqësuar më mirë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

Related posts

SPOZORI GJENERAL