Anëtarët e OEMVP-së përforcojnë bashkëpunimin me kompanitë nga Shqipëria

17 Janar 2018 – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore sot me rastin e vizitës dy ditore të një biznes delegacionit nga Shqipëria, organizoi takim me qëllim të promovimit të potencialeve ekonomike në mes Republikës së Maqedonisë dhe Shqipërisë, duke ngritur në një nivel më të lartë bashkëpunimin ekonomik, si dy vende fqinje që synojnë të integrohen në tregjet europiane dhe shqyrtimin e mundësive për intensifikimin e bashkëpunimit afarist drejt relacioneve të reja të biznesit midis kompanive të dy shteteve.

Në kuadër të vizitës u mbajtën edhe B2B takime të cilat u organizuan në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë dhe Invest Macedonia.  Maqedonia dhe Shqipëria kanë vëllim të madh të këmbimit tregtar, por ka potencial për zhvillimin e bashkëpunimit, veçanërisht në pjesën për shfaqjen e përbashkët të panaireve tregtare, organizimit të ngjarjeve dhe përpunimin e ofertës së përbashkët turistike. .

Gjatë takimit Nebi Hoxha, kryetar i OEMVP-së tha se ky takim sot është një hap që i sherben ekonomisë së rajonit dhe frymës së bashkëpunimit duke kontribuar në krijimin e mundësive që bizneset e të dy vendeve të zgjerojnë aktivitetet e tyre dhe të bëhen më konkurrente në tregje më të mëdha. Maqedonia mund të shërbejë për Shqipërinë si një model i mirë në lehtësimin e kushteve të të bërit biznes dhe përmes Portit të Durresit kompanitë tona mund të bëhen akoma më konkurruese në tregjet rajonale.